Gjashtë persona janë arrestuar si të dyshuar për fajde dhe detyrim gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Prizren dhe Suharekë. Në këtë operacion të koduar “Milioni”, janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.
Në njoftimin përbashkët të lëshuar nga Policia dhe Prokuroria, të dyshuarit akuzohen për kontraktimin e shumave joproporcionale të borxhit, duke përfituar nga vështirësitë ekonomike të viktimave për të fituar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë mbi 1 milion euro. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.