Kronikë

Familja e 24-vjeçarit të vrarë kundërshton dënimin me 22 vjet burgim për 5 të akuzuarit

Dënimi prej 22 vjet e 7 muajsh burgim dhe me gjobë ndaj Leonit Muhaxheri, Albin Balia, Eugen Bajralia, Rinor Jashari dhe Mërgim Atanasova, për vrasjen e të riut në Ferizaj, po kundërshtohet nga familja e viktimës.

Të pakënaqur e të zhgënjyer me drejtësinë janë shprehur familja e Bajram Qelit, i cili u vra në shtator të 2020-s.

“Na jemi të pakënaqur me hetimin dhe procedurën si ka shkuar deri më tash. Është qesharak d.m.th. jemi të pakënaqur, me gjithçka jemi të pakënaqur”, tha Ajet Qeli, babai i viktimës.

Të enjten, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi me 17 vjet burgim të akuzuarin kryesor, Leonit Muhaxheri. Albin Balia e Eugen Bajralia janë dënuar me nga dy vjet e 6 muaj burgim për pjesëmarrje në rrahje.

Mërgim Atanasova u dënua për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, me 7 muaj burgim, ndërsa Rinor Jashari është dënuar me 5500 euro për kanosje e moslajmërim të veprave apo kryerësve.

“I akuzuari Leonit Muhaxheri më datë 4.9.2022 rreth orës 20 e 8 minuta në Ferizaj, rruga ‘Wesley Clark’, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bajram Qeli, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje në kafiteri, i akuzuari Leonit bashkë me të akuzuarin Albin Balia e Eugen Bajraliu shkojnë te tavolina ku ishte i ndjeri Bajram Qeli, në atë mënyrë që i akuzuari Albin Balia ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më këqyr, çfarë problemi ke”, ka thënë gjyqtari Ibrahim Idrizi.

Me këtë vendim nuk ishin të kënaqur as pala e dëmtuar e as pala e akuzuar. Avokati i familjes së viktimës kishte kërkuar edhe përjashtimin e prokurorit.

“Ne para dy dite kur kemi paraqitur fjalën përfundimtare, kemi dorëzuar një shqetësim duke kërkuar nga Gjykata që ta hapë këtë procedurë dhe të mos e bëjë shpalljen me aktakuzën si të tillë”, deklaroi Naim Rudari, avokat i familjes së të ndjerit.

Avokati i të dënuarit Albin Balia, tha se vendimi është i rëndë.
“Vendimi mbi dënim në raport me të mbrojturin tim është ca i rënduar, sepse pranimi i fajësisë dhe benefitet që i parasheh neni 248 i Kodit të procedurës është dashur të jenë më të mëdha në këtë rast”, tha avokati Haxhi Millaku.

24-vjeçari nga Komuna e Ferizajt nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra me thikë, teksa paraprakisht kishte pasur edhe përleshje para një lokali në këtë qytet.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, bazuar në raportin e autopsisë, vdekja e tani të ndjerit ishte vdekje e dhunshme, që kishte ndodhur për shkak të gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.