Kronikë

Familja e 18-vjeçarit të vrarë kërkon dënim maksimal për dy të miturit e akuzuar

Pas përballjes së palëve në Apel, për vrasjen me mjete të forta të 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, ka dalë një kërkesë adresuar Qeverisë. Meqë të pandehurit janë të mitur, dënimi maksimal për secilin nga ta është 10 vjet. Avokati i familjes së viktimës ka thënë se duhet ndryshuar ligji, me qëllim që të shqiptohen dënime më të larta kur pasojat e veprës penale të të miturve janë të mëdha

Familja e 18-vjeçarit të vrarë në Podujevë, Lulzim Fejzullahu, ka kërkuar dënim maksimal për të dy të miturit e akuzuar për këtë rast.

Pas dënimit të njëjtë edhe në rigjykim, ku njërit të pandehur i janë shqiptuar 10 vjet burgim e tjetrit 9, procesi ndodhet sërish në Apel, ku të mërkurën janë shqyrtuar ankesat e palëve.

Tomë Gashi, avokat i familjes së të riut të vrarë, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ta rishikojë dënimin për njërin nga të miturit, i cili është i dënuar me 9 vjet burgim.

“Ne kemi paraqitur ankesë ndaj të miturit të dytë, të cilit nuk i është dhënë dënimi maksimal dhe tani Gjykata e Apelit është duke i shqyrtuar të gjitha ankesat”, ka thënë Gashi. 

Drejtësi për nipin e vrarë kërkoi edhe Rrahim Fejzullahu, axha i 18-vjeçarit.  

“Unë kërkoj vetëm drejtësi reale, jo drejtësi selektive. Unë e di që avokatët punojnë me pare.

Kundërshtarit krejt paret avokati le t’ia merr, por gjyqësia le ta bëjë punën e vetë. Shkurt dhe shqip, nëse nuk ka drejtësi, unë kam me thirrë protestë, me kërku veç drejtësi”, është shprehur Fejzullahu.

E avokati Gashi ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë ta ndryshoj Ligjin për të miturit, me qëllim të të shqiptohen dënime më të mëdha kur pasojat e veprës penale janë të mëdha. 

“Besoj që në shekullin 21, vitin 2024 dhe në vitet e tjera janë krejtësisht kushte të tjera dhe nuk duhet të bëhet një dallim kaq drastik mes të miturve dhe madhorëve dhe besoj se Ministria e Drejtësisë duhet të mendojë ta ndryshojë ligjin për të miturit, sepse dënimet janë tepër të ulëta në raport me pasojën”, ka theksuar Gashi.

Përveç palës së dëmtuar, ankesë në Gjykatën e Apelit kanë paraqitur edhe mbrojtësit e të miturve të dënuar për vrasje.

Skender Musa, avokat i të miturit të cilit i janë shqiptuar 10 vjet burgim, ka kërkuar ulje të dënimit.

“Për një vepër penale nuk mund të shqiptohet dënimi maksimal, dhe ndaj të miturve nuk ka hakmarrje. Kemi kërkuar të ulet dënimi ose çështja të kthehet në rigjykim, në shkallë të parë para një trupi gjykues tjetër”, ka thënë Musa.

KOHA ka kontaktuar edhe me avokatin Florent Latifaj që mbron të miturin tjetër, por ai ka deklaruar se nuk i komenton lëndët që janë në proces gjyqësor.

I riu Lulzim Fejzullahu u rrah brutalisht me mjete të forta më 14 janar në Podujevë dhe gjashtë ditë më vonë vdiq në QKUK. Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë për vrasje, ndaj dy të dyshuarve.