Kronikë

Ekstradohet në Mal të Zi Sërgjan Jurisheviq, dyshohet për lidhje me “Klanin Kavak”

Foto: Reuters

Sërgjan Jurisheviq, i dyshuar për lidhje me “Klanin Kavak” dhe pjesëmarrje në vrasjen e Nikolla Stanishiqit, është ekstraduar në Mal të Zi më 29 nëntor 2024, pas arrestimit të tij në territorin e Republikës së Kosovës, në Gjilan gjatë muajit maj 2023.

Ekstradimin e Sërgjan Jurisheviqit e ka bërë NBC Interpol Podgorica, me asistencën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para arrestimit, Jurisheviq ka qëndruar disa muaj në territorin e Republikës së Kosovës duke poseduar identitet të rremë, me emrin Dragan Pejiq.

Sipas autoriteteve malazeze, Sërgjan Jurisheviq, ish-truproja e Slobodan Kashçelan, ishte i përfshirë drejtpërdrejt në rrëmbimin dhe torturimin e Nikola Stanishiqit, i cili u vra në vitin 2020 si pjesë e konfliktit midis “Kavak” dhe “Klanit Skaljar”. Slobodan Kashçelan dhe Radoje Zvicer janë liderët e “klanit kavak”.

Përveq akuzave për vrasje, Jurisheviq akuzohet gjithashtu për krijimin e një organizate kriminale përgjegjëse për kryerjen e krimeve të shumta në Ballkan, duke përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe likuidimet e dhunshme.

Nga territori i Kosovës, Sërgjan Jurisheviq është transferuar në Podgoricë, ku do të dëgjohet para Gjykatës së Lartë për veprimet për të cilat akuzohet.

Sipas informacioneve të deritanishme të publikuara, Nikola Stanishiq, i dyshuar si pjesëtar i “Klanit të Skaljarëve”, u rrëmbye natën mes 2 dhe 3 gushtit 2020, pas së cilës u torturua dhe në fund u vra.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi thuhet se Jurisheviqi, në marrëveshje me Kashçelanin dhe anëtarët e tjerë të “klanit kavak”, ka marrë pjesë në kidnapimin e Stanishiqit, torturimin e tij dhe tentativën e mëvonshme për të fshehur gjurmët e vrasjes.

Para ekzekutimit të likuidimit, Stanishiq ishte rrahur, gjatë së cilës ai u detyrua të zbulojë informacione për “Klanin Skaljar”. Sipas aktakuzës së disponueshme, trupi i tij është djegur dhe shkatërruar me kimikate për të mbuluar gjurmët e krimit të kryer.

Organet administrative të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërkombëtar disamujor, janë fokusuar në problemin në rritje të krimit të organizuar, i cili prek jo vetëm këto dy shtete, por edhe hapësirën më të gjerë të rajonit, e cila prej kohësh ndodhet në një gjendje destabilizuese.

“Betimi për Drejtesi” për këtë çështje ka kontaktuar me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje zyrtare./Betimipërdrejtësi