Edmond Lajçi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes, Gjyljeta Ukella.
Ai e ka pranuar fajësinë të martën, 24 dhjetor, në seancën fillestare për rastin të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.
Familjarët e Ukellës e kanë mirëpritur vendimin e gjykatës.
“Gjykata e dha vendimin final që ne si familje na lehtësoi sado pak dhimbjen”, ka thënë vëllai i të ndjerës.
Lajçi, sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me dashje dhe me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.
Në aktakuzë thuhet po ashtu se çifti ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se Lajçi ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes. E në ditën kur ndodhi vrasja, në aktakuzë specifikohet se i akuzuari, pas kthimit në shtëpi nga qëndrimi gjatë natës në spital me nënën e tij që po trajtohej për një sëmundje, i ka kërkuar vajzës së tij që të dalë nga banesa për të blerë diçka në dyqan, me synimin që të mbetej vetëm me bashkëshorten.
VIDEO: