Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë (secilit veç e veç) K.G., V.A., R.Ll., S.S., dhe F.A., të dyshuar për rastin e vrasjes së P.G., më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja për informim e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se me datë 31.01.2025 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve K.G, V.A, R.Ll ,S.S dhe F.A.”, thuhet në përgjigjen e saj.
Ndryshe, lidhur me këtë rast, më 11 shtator 2024 është arrestuar edhe V.B., i dyshuar për manipulim me prova në këtë rast. I njëjti gjendet po ashtu nën masën e paraburgimit, e cila i është vazhduar deri më 11 shkurt.
“Ju njoftojmë se me datë 10.12.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit V.B. I pandehuri V.B gjendet nën masën e paraburgimit deri me datë 11.02.2025”, ka konfirmuar Gashi. /BetimipërDrejtësi