Kronikë

E mitura pranohet shtatzënë në QKUK, i dyshuari për dhunim dërgohet në mbajtje

Një vajzë e mitur është dhunuar në Obiliq, nga një dyshuar i moshës madhore. Pas pranimit në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) për trajtim, 15-vjeçarja është konstatuar se është edhe shtatzënë. As në Prokurori dhe as në QKUK nuk kanë dhënë hollësi për rastin, me justifikimin se bëhet fjalë për një procedurë për të mitur. E psikologët kanë thënë se dhunimet janë të përhapura në Kosovë dhe kanë kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime

Një 25-vjeçar nga Komuna e Obiliqit është arrestuar të martën nën dyshimin se ka përdhunuar një vajzë të mitur.

Në Polici kanë bërë të ditur se viktima është 15-vjeçare dhe se ajo, pas pranimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim, është konstatuar se është edhe shtatzënë.

“Është marrë informata se në QKUK është pranuar viktima femër shtatzënë, ku lidhur me rastin e lartcekur, me vendim të prokurorit, është arrestuar një i dyshuar - kosovar, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Lidhur me rastin KOHA ka kontaktuar me drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrenaj, mirëpo ai nuk ka pranuar që të prononcohet me justifikimin se rasti është nën hetime.

Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nuk kanë dhënë hollësi për rastin, përveç konfirmimit se i dyshuari ka kryer veprën penale “Dhunim” dhe ndaj tij është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e një (1) personi, i dyshuar për veprën penale ‘Dhunimi’, sipas KPRK-së. Viktima është e mitur. Meqë rasti i takon procedurës për të mitur, nuk mund të japim detaje, derisa ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore nga ana e Prokurorisë”, kanë bërë të ditur në Prokurori.

E psikologu Rron Kastrati ka theksuar se rastet e tilla të dhunimeve janë të përhapura në Kosovë dhe ka kërkuar që ato të trajtohen me urgjencë nga institucionet e drejtësisë.

“Këto dhunime seksuale janë të shfaqura në baza gjinore në shoqëri dhe kanë për qëllim ushtrimin e kontrollit dhe pushtetit mbi gjininë femërore. Kjo dhunë e ushtruar ndaj grave rezulton si fenomen mjaft i përhapur në shoqëri që meriton një trajtim adekuat institucional”, ka thënë ai.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, të martën në Gjilan është arrestuar edhe një i dyshuar tjetër, pasi që dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psikike ndaj dy viktimave, një femër dhe një mashkull.