Kronikë

Dyshohet se tentuan grabitje me pistoletë false, arrestohen dy të mitur në Ferizaj

operacion

Foto-Ilustrim

Dy të mitur janë arrestuar në orët e para të së martës në Ferizaj, nën dyshimin se kanë tentuar të kryejnë grabitje brenda një marketi. 

Siç ka bërë të ditur policia, njëri prej të dyshuarve ka hyrë me armë në market, e cila gjatë sekuestrimit ka dalë të jetë imitim i pistoletës së zjarrit. 

“Nga hetimet e para është mësuar se dy persona, meshkuj, njëri me armë (pistoletë) kanë hyrë në market dhe nën kërcënim të armës kanë tentuar të kryejnë grabitje, mirëpo kanë hasur në rezistencë dhe janë ndaluar nga dy pronarët e marketit, të cilët kanë arritur t’ia largojnë pistoletën nga dora, e në ndërkohë kanë arritur policët e rendit të stacionit të Ferizajt, të cilët i kanë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa si provë materiale kanë sekuestruar edhe armën (imitim i pistoletës së zjarrit), e cila dyshohet se është përdorur gjatë tentim grabitjes”, ka bërë të ditur Policia.

Të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës me detyrë zyrtare dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, janë intervistuar nga hetuesit rajonalë, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejme hetimore.