Kronikë

Dyshimet për keqpërdorime në NPB, aktakuzë për korrupsion ndaj 8 zyrtarëve

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tetë të zyrtarëve për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin.

Aktakuza ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Prokuroria Speciale në maj të vitit të kaluar kishte kryer bastisje në lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për dhënie në shfrytëzim të tokës së NPB-së për një konsorcium të kompanive private, për të ndërtuar banesa e lokale afariste në vlerë të 120 milionë eurove.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurve H.H., L.M., A.J., Xh.L., B.P., D.K., G.Sh., dhe V.M., me dyshimin e bazuar mirë se kanë  kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sanksionuar nga neni 414 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri H.H. ngarkohet edhe me akuzën për kryerjen e veprës penale Lidhja e Kontratës së dëmshme, sanksionuar nga neni 285 par. 1 dhe 2 të KPRK-së.

Prona e cila është objekt i akuzës, bazuar në Kërkesën e Prokurorisë, është sekuestruar nga Gjykata dhe në bazë të Aktakuzës, PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë atë dhe e njëjta t’i kthehet sërish pronës publike.