Katër vetura janë përfshirë nga zjarri, i cili është raportuar në mëngjesin e së premtes në lagjen “Marigona”, në Prishtinë. Pas inspektimit të vendit të ngjarjes, Policia ka njoftuar se dy nga automjetet janë djegur tërësisht e dy të tjera pjesërisht. Në Polici kanë thënë se lidhur me rastin ende nuk e kanë një pistë të saktë të hetimit
Një zjarr i madh ka përfshirë paraditen e së premtes katër vetura të parkuara në afërsi të një biznesi në lagjen “Marigona” në Prishtinë.
Dy prej tyre janë djegur plotësisht, ndërsa dy të tjera, të cilat kanë qenë të parkuara afër tyre, janë dëmtuar pjesërisht si pasojë e zjarrit, i cili është fikur pas intervenimit të ekipeve të zjarrfikësve.
E pasi hetuesia e ka kryer punën e saj në vendin e ngjarjes, punëtorë të pastrimit kanë dalë për të larguar mbeturinat e shkaktuara nga zjarri.
Nga veturat më nuk mund të identifikohej asgjë ndërsa dëme ka pasur edhe në ndërtesën afër së cilës kanë qenë të parkuara automjetet. E përderisa punëtorët e pastrimit i kanë larguar mbetjet e fundit të veturave të shkatërruara, institucionet e hetuesisë ende nuk kanë dhënë asnjë informacion nëse ka dyshime se zjarri është i rastësishëm apo se mbrapa tij qëndron ndonjë motiv tjetër.
Në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar zyrtarisht vetëm se hetimet lidhur me zjarrin kanë nisur.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ftuar edhe zjarrfikësit me qëllim të lokalizimit të zjarrit. Informacionet e para nga vendi i ngjarjes tregojnë për dy vetura të përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq nuk raportohet për të lënduar. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen”.
Në lagjen “Marigona” nuk janë të rralla rastet në të cilat është kërkuar intervenimi i policisë.
Muaj më parë në këtë lagje të kryeqytetit u patën arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë shtënë me armë zjarri kundër njëri-tjetrit, për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy grupeve rivale, të përfshira në krime. Lidhur me këtë rast, sipas Prokurorisë së Shtetit, në arrati janë edhe disa persona të tjerë.