Kronikë

Dy të vdekur në aksidente trafiku gjatë vikendit

Policia e Kosoves

Foto: Ilustrim

Dy aksidente me fatalitet janë raportuar të dielën nga Policia e Kosovës.

Njëri raportohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes të së shtunës në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë, ndërsa tjetri të dielën në lagjen “Kolonia e Re” në Mitrovicë.

Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se njëri prej shoferëve të pesë automjeteve të përfshira në aksidentin në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve të marra dhe ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa, aksidenti i ndodhur gjatë pasdites të së dielës në Mitrovicë, thuhet se ka ndodhur mes dy veturave dhe një motoçiklete. 

Si pasojë e plagëve të rënda, motoçiklisti thuhet se ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuat dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.