Kronikë

Vdes njëri nga të plagosurit nga të shtënat në Prishtinë

Pamje në Qendrën Klinike Universitare ku po trajtohen dy të plagosurit

Pamje në Qendrën Klinike Universitare ku po trajtohen dy të plagosurit

Foto: KOHA

Rinesa Qorri

Mjeku kujdestar konfirmon vdekjen e një personi nga të shtënat me armë

(E përditësuar 00:05) - Agron Çitaku, mjek kujdestar, ka bërë të ditur se personi që vdiq kishte ardhur në QKUK thuajse pa shenja jete. Ai është i moshës rreth të 60-ave. Ndërsa i plagosuri tjetër, sipas Çitakut, është në gjendje stabile.  

“Rreth orës 22:35 ka ardhur personi i parë i plagosur, ka qenë thuajse pa shenja jete. Është bërë reanimi i tij, për gjysmë ore, ka ndërru jetë. Pas 15 minutave ka ardhur i plagosuri tjetër që ka tri plagë por është në gjendje stabile. Personi që vdiq është rreth të 60-ave”, ka thënë Çitaku.


(E përditësuar 23:42) - Njëri nga dy të plagosurit e mbrëmjes së sotme në Prishtinë ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare, ka mësuar KOHA nga burimet.

Ndërkohë, i plagosuri tjetër vazhdon të trajtohet.

I dyshuari është ende në arrati.


Dy të plagosur në Prishtinë

(23:16) - Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të martën në mbrëmje në Prishtinë. I dyshuari është identifikuar dhe është në kërkim.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në rrugën “Rrustem Hyseni”. Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa hetuesit policorë po punojnë për zbardhjen e rastit.

“Hetuesit policorë janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe janë në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar”, thuhet në njoftimin e policisë.