Të paktën dy persona janë plagosur të enjten nga arma e zjarrit në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Mon Balaj” të kryeqytetit ka njoftuar Policia.
Të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
Njëri prej të dyshuarve është arrestuar, ndërsa personi tjetër që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, është ende në arrati.
“Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, ka thënë tutje Borovci.
Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Agron Çitaku, ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile.
Ai ka njoftuar se njëri prej të lënduarve është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Klinikën Kirurgjike.
“Pacientet për të cilët po pyesni, janë stabil dhe njëri është pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën Kirurgjike e tjetri ende është këtu te ne”, ka thënë Çitaku për KOHËN.