Dy persona janë lënduar si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një pikë shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për KOHËN se rreth orës 21:33 ka ndodhur një shpërthim zjarri në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në një vend ku po shiteshin mjete piroteknike.
Si pasojë e zjarrit një person ka marrë lëndime të rënda, ndërsa janë prekur edhe lokalet e ndërtesat përreth dhe veturat. Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin.
“Më datë 31.12.2024 rreth orës 21:33 është raportuar se në rrugën ‘Ahmet Prishtina’ në Prizren ka ndodhur një shpërthim i zjarrit nga ndezja e një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në trotuar dhe si pasojë është përhapur zjarri edhe në lokalet dhe ndërtesat përreth. Si pasojë e këtij incidenti deri më tash kemi një të lënduar që është në Emergjencë dhe sipas informatave të deritashme është duke u dërguar në QKUK në Prishtinë. Gjithashtu janë shkaktuar dëme në objektet dhe automjetet e parkuara në afërsi. Të gjitha njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes. Gjithashtu kanë dal në vendin e ngjarjes njësitet e zjarrfikësve të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Situata është nën kontroll”, ka thënë Bytyqi.
Drejtoresha e Spitalit të Prizrenit, Harqize Hoxhaj Arenliu, ka njoftuar për KOHËN se dy persona kanë marrë trajtim mjekësor, njëri ka pasur lëndime më të lehta dhe është liruar në shtëpi pas trajtimit, ndërsa një tjetër në gjendje më të rëndë shëndetësore është dërguar në QKUK.
Portali “04 Online” ka publikuar disa video të zjarrit.
Gjendja e të lënduarit në Prizren e rëndë, dërgohet në sallën operative
Gjendja e njërit nga të lënduarit në Prizren është shumë e rëndë. Ai është dërguar në sallën operative, ka njoftuar për KOHËN mjeku kujdestar në QKUK, Agron Çitaku.
Dy persona u lënduan të martën mbrëma nga shpërthimi i fishekzjarrëve në një pikë shitjeje në Prizren. Një nga të lënduarit është trajtuar në Spitalin e Prizrenit dhe është liruar, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim në QKUK.
Zjarri dëmtoi edhe disa vetura të parkuara në afërsi dhe lokalet e ndërtesat përreth. Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin.