(E përditësuar 11:00) - Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se dy persona janë arrestuar të hënën në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Arrestimi i tyre është bërë në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë” gjatë një aksioni të Njësisë Speciale të Policisë.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike ‘Pallati i Rinisë’. Deri më tani kemi të ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me Keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Pas përfundimit të aksionit do të informoheni për detaje tjera”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
Ndërsa, Ndërmarrja Publike “Pallati i Rinisë”, ka njoftuar se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për hetimin e nisur nga njësia e krimeve ekonomike.
“Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë qasje të plotë në Pallat, si dhe kemi hapur të gjitha të dhënat tona sipas kërkesave të tyre. Qasja jonë e plotë dhe e hapur ndaj procesit hetimor do të vazhdojë, me qëllim lehtësimin e hetimit dhe ndriçimin e çdo aspekti të rëndësishëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar.
Nga ky aksion janë sekuestruar dy telefona celularë, dokumente të rëndësishme dhe 1 armë zjarri me 10 fishekë.
Prokuroria Speciale me aksion në “Pallatin e Rinisë”
Prokuroria Speciale është duke zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë”.
Ekipi i KOHËS në terren ka mësuar se dy persona janë arrestuar nën dyshimin për krime ekonomike.
KOHA është në pritje të përgjigjes nga organet e rendit, si dhe nga Prokuroria Speciale.