Kronikë

Dy raste të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës [ilustrim]

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka raportuar për dy raste të sulmeve ndaj zyrtarëve policorë në 24 orët e fundit në Kosovë. 

Në një rast në Prishtinë, të shtunën në mbrëmje, policia ka thënë se zyrtarët policorë derisa ishin duke iu përgjigjur një rasti të dhunës në familje, kanë hasur në rezistencë nga i biri i të dyshuarit për dhunë. 

Gjatë arrestimit të tij është lënduar një zyrtar policor. 

“Prishtinë,01.06.2024-23:10. Zyrtarët policor gjatë kryerjes se detyrës zyrtare në një rast te dhunës në familje kanë hasur në rezistencë nga  i dyshuari mashkull kosovar -djali i te dyshuarit për dhunë në familje. Është arrestuar i dyshuari dhe i njëjti gjatë arrestimit e kishte lënduar zyrtarin policor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë. 

E në Gjilan, është arrestuar një person pasi që nën ndikim të alkoolit kishte sulmuar zyrtarin policor. 

“Rr. NATO 99, Gjilan 01.06.2024-06:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar zyrtarin policor viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, është njoftuar nga policia.