Kronikë

Dy raste të grabitjes në Kosovë në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës

Ilustrim

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar në Polici të Kosovës dy raste të grabitjes. Një rast është raportuar në Fushë-Kosovë e një në Deçan. 

Në Fushë-Kosovë, në mbrëmjen e të martës, punonjësja e një marketi ka raportuar se nën kërcënimin e thikës një burrë ia ka vjedhur një shumë parash. 

“Rr. Shefki Kuleta, Fushë Kosovë / 11.03.2025 – 19:22. Raportohet se në një market, një person i dyshuar nën kërcënimin e thikës viktimës f/k ia ka grabitur një shumë parash dhe është larguar në drejtim të panjohur. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Ndërkohë në Deçan, në orët e para të së martës, një burrë ka raportuar se dy persona e kanë ndaluar në rrugë dhe ia kanë marrë një shumë parash dhe telefonin. Policia ka identifikuar dy të dyshuarit dhe i ka dërguar në mbajtje. 

“Deçan / 11.03.2025 – 00:25. Viktima mashkull kosovar ka lajmëruar se dy persona te dyshuar (meshkuj) me një veturë me targa vendore e kanë ndal në rrugë dhe ia kanë marrë një shumë parash dhe një telefon. Lidhur me rastin policia ka identifikuar dhe arrestuar dy te dyshuarit dhe të njëjtit  janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. 

Po ashtu të martën është raportuar edhe për një vjedhje të rëndë në Prishtinë. Persona të panjohur dyshohet se kanë depërtuar brenda një shtëpie dhe kanë vjedhur një televizor, një pushkë ajrore dhe dy kamera të sigurisë.