Kronikë

Disa të lënduar në aksidentin mes veturës dhe minibusit në autostradën “Ibrahim Rugova”

Foto: Ilustrim

Foto: Ilustrim

Disa persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në Prizren. 

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se aksidenti ka ndodhur në mëngjes mes një veture dhe një minibusi me targa të huaja. 

Ai nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të të lënduarve, teksa ka shtuar se viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor. 

“Sot rreth orës 07:00 në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’ Prizren - Veri është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime trupore në mes të një veture me targa vendore dhe një Minibusi me targa të huaja. Sipas informatave të para nga njësitet në vendngjarje dyshohet për disa persona të lënduar të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë ai. 

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, përderisa njësitet kompetente policore janë duke hetuar shkaqet e aksidentit.