Ermir Bujupaj
Për shkak se nuk u bë transportimi në sallën e gjyqit, të hënën ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Naser Pajazitajt, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Këtë ia konfirmoi KOHËS zyrtarja ligjore e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha.
“Po, seanca nuk është mbajtur pasi Njësiti që kryen transportin e të pandehurit, nuk ka arritur ta kryejë. Nuk dihen arsyet pse s'u bë dërgimi i tij”, deklaroi Hoxha.
Zyrtarja ligjore theksoi se seanca është shtyrë të mbahet më 10 mars të këtij viti.
Për shtyrjen e mbajtjes së seancës, vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, shkroi në Facebook se është hera e dytë që anulohet mbajtja e seancës, derisa sipas tij "rastin do ta anulojnë deri në ditën kur do të vdes i akuzuari".
Naser Pajazitaj akuzohet se në nëntor të vitit 2015, e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn në bjeshkët e Strellcit dhe se më pas e kishte mbuluar me drurë e ka ikur nga vendi i ngjarjes.