Në gjykimin e Sllagjan Trajkoviqit që akuzohet për krime lufte në Kosovë, dëshmitari Shefqet Binaku ka thënë se i akuzuari ishte nisur ta vriste më 22 maj të 1999-s në Vushtrri.
Sipas tij, Trajkoviq e kishte goditur me armë zjarri duke e lënë për disa momente pa vetëdije, e Binaku ka shtuar se kjo kishte ndodhur në mesin e një turme të madhe të civilëve në varreza.
“Kur më ka vërejtur që jam ngritur pak, i akuzuari më tha ‘Hala koke gjallë edhe më shau me nënë’. E ngrehu pushkën...NATO-ja më ka shpëtu. Në atë moment ka nisur bombardimi i furishëm, e unë e kam parë vdekjen e sy...Me armën e tij më ka goditur në këtë pjesë (në afërsi të veshit). Në atë moment nuk dija më kurrgjë sepse kam ra si pashpirt”, ka deklaruar dëshmitari.
Binaku ka shtuar se një pjesëtar i forcave serbe e kishte thirrur të akuzuarin pasi e kishte identifikuar në bazë të letërnjoftimit.
“Kur filluan të na identifikonin me letërnjoftime, një polic i ri që nuk unë e kam njohur, po në momentin që ma ka dhënë letërnjoftimin e më ka këqyrë, në atë moment e ka thirr këtë person, ‘eja Sllagjan se ta kam gjet njeriun që po e kërkon’. Ka qenë i veshur si polic, të gjithë kanë qenë policë. Ka qenë i dallueshëm mirë sepse nuk ka qenë me maskë”, ka thënë ai.
Dëshmitari shtoi se e ka dëgjuar raportimin e forcave serbe me radiolidhje se në turmë kanë qenë rreth 1000 persona.
Ai shtoi se para se të bartej për në Smrekonicë me kamion, e ka parë përsëri të akuzuarin Trajkoviq i cili i kishte thënë ‘nuk do të shkosh në Smrekonicë, ti je i 75-ti me radhë’.
“Aty e kuptova se i kanë vra 74 njerëz”, shtoi Binaku.
Trajkoviq i nacionalitetit serb, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve shqiptarë.
Siç përshkruhet në aktakuzë, në mesditën e 6 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe Trajkoviqi, kanë marrë urdhra duke rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë, e pastaj kanë filluar ofensivën duke sulmuar fshatin, duke djegur shtëpi dhe vrarë civilë.