Gjykata Themelore në Mitrovicë të enjten e dënoi të akuzuarin Dalibor Spasiq me 10 mijë euro gjobë për veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.
Spasiq gjatë protestave të dhunshme të 2023-tës në veri e ka sulmuar gazetarin Burim Zariqi. Ky është aktgjykimi i parë që konkretisht i referohet lëndimit të një gazetari gjatë protestave të dhunshme të serbëve në veri të vitit 2023 ku u sulmuan gazetarët, policët dhe pjesëtarët e KFOR-it.
Gjyqtarja Marigona Lajqi tha se me shqiptimin e dënimit e ka marrë parasysh se me sulmin ndaj gazetarit është sulmuar liria e shprehjes, që është vlerë e mbrojtur me Kushtetutë.
Lajqi tha po ashtu se e ka marrë parasysh faktin që i akuzuari nuk figuron të jetë i dënuar më herët për ndonjë vepër penal.
Në shqyrtimin fillestar për këtë rast, Spasiq e ka pranuar fajësinë e më pas u mbajt edhe seancë e veçantë lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë që e ka lidhur i akuzuari me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Sipas aktakuzës në 31 maj në Zveçan, Spasiq, me dashje përdor forcën ndaj gazetarit të “RTV 21” Burim Zariqit, i motivuar në bazë të kombësisë, në atë mënyrë, që derisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë protestat që zhvilloheshin nga komuniteti serb afër objektit të komunës së Zveçanit, dhe ishte një grup i protestuesve me maska të cilët nisen në drejtim të një veture të Policisë së Kosovës, ku i dëmtuari niset në drejtim të tyre me qëllim të fotografimit dhe xhirimit, në ato momente një grup prej tre personave i kërkojnë të dëmtuarit që t’i fikë pajisjet, dhe e fyejnë si dhe kërkojnë që të largohen dhe në momentin që fillojnë ekipi te largohet, grupi i personave fillojnë t'i ndjekin dhe gjatë largimit, i pandehuri përdor forcën ndaj të dëmtuarit – gazetarit Burim Zariqi, duke e goditur me grusht në bel në anën e djathtë. Ai e ka mbajtur një muaj paraburgim gjatë periudhës së hetimit të rastit.
VIDEO: