Kronikë

Dënohen 10 të akuzuarit që pranuan fajësinë në rastin “Subvencionet V”

Gjykata Themelore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve B.S, K.B-S, A.U, V.H, G.A, F.Y, A.T, B.O, A.S dhe M.M të cilët pranuan fajësinë në rastin “Subvencionet V”.

Sipas komunikatës për media nga Gjykata, i akuzuari B.S është shpallë fajtor dhe është dënuar  me dënim me burgim në kohëzgjatje  prej pesë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 20,0000.00 € për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Mashtrim me subvencione”, në të cilin vendim i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe masën e  arrestit shtëpiak nga data 03.12.2021 deri me datë 03.05.2022.. I  pandehurin B.S në mënyrë vullnetare ka bërë kompenzimin e dëmit të shkaktuar në vlerë prej 184, 857.53 euro.

E akuzuara K.B-S është shpallë fajtore dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje   prej pesë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 € për veprën penale “Dhënie ryshfeti”, në të cilin vendim llogaritet edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak prej datës  nga data 24.02.2021 deri me datë 24.09.2021, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

E akuzuara A.U është shpallë fajtore dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje  prej dy vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej 5,000€ për veprën “Marrje ryshfeti” , në të cilin vendim llogaritet edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak prej datës  nga data 24.02.2021 deri me datë 24.05.2021 i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi bëhet i formës së prerë. Gjykata të akuzuares A.U i ka caktuar edhe dënim plotësues, ku të njëjtës i ndalohet  për dy vjet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim.

I akuzuari V.H është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej nëntë muajsh dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 € për veprën penale “Marrje ryshfeti” në të cilin vendim llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe masën e  arrestit shtëpiak nga data 30.06.2021 deri me datë 30.03.2022, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjykata të akuzuarit V.U  i ka caktuar edhe dënim plotësues, ku të njëjtit i ndalohet për dy vjet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim.

I akuzuari G.A është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej nëntë muajsh dhe dënim me gjobë në shumë prej 100€, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit” në të cilin vendim llogaritet edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak prej datës 30.06.2021 deri me datë 30.03.2022, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykim të bëhet i formës së prerë.

Të akuzuarit F.Y., A.T., B.O., A.S., M.M., janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me kusht me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe dënim me gjobë në shumë prej 1000€, veç e veç, për veprën penale “Dhënie ryshfeti” , i cili dënim me kusht nuk do të ekzekutohet  për asnjërin nga të akuzuarit nëse nuk e kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore.