Operacioni i Policisë kundër fajdexhinjve është zgjeruar edhe në Gjilan. Gjatë ditës, janë arrestuar dy persona dhe një ndodhet në kërkim policor. Ata dyshohet se një viktime i kanë shkaktuar dëme materiale në vlerën mbi 600 mijë euro. Ish-hetues thonë se ka shumë raste të denoncuara nga viktimat, e për të cilat ende mungojnë aktakuzat.
Dy operacione kundër fajdexhinjve i ka zhvilluar Policia brenda dy ditësh, gjatë të cilave ka arrestuar shtatë persona.
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, të premten ka zgjeruar aksionin në tri lokacione në rajonin e Gjilanit, gjatë të cilit janë arrestuar dy të dyshuar dhe një ndodhet në kërkim policor.
“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdesë dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia bëri të ditur se gjatë aksionit janë sekuestruar tri vetura, motorë sportivë, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale, që do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Një ditë më parë, në Pejë e Prishtinë janë arrestuar pesë persona në operacionin e Policisë kundër një grupi që dyshohet se merrej me fajde.
Avokati Ridvan Kajtazi, i cili ka qenë ish-hetues i Policisë, thotë se ndonëse dukuria e fajdeve është shumë e përhapur, veprimet për luftimin e saj nuk janë të mjaftueshme.
“Përpjekjet e institucioneve të sigurisë dhe sistemit të drejtësisë për ta luftuar këtë dukuri nuk janë në nivelin e kënaqshëm, për shkak se meqenëse dukuria e fajdeve është e përhapur, kërkohet një punë intensive e sidomos proaktive në luftimin e kësaj dukurie, gjithmonë në koordinim me prokurorin e shtetit por edhe me gjyqtarin e procedurës paraprake e këtu rol jashtëzakonisht të rëndësishëm luajnë edhe njësitë e hetimeve të Policisë së Kosovës me qëllim të luftimit të kësaj dukurie”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi alarmon për shumë raste të tjera fajdeje, për të cilat mungojnë aktakuzat.
“Ne kemi raste të mjaftueshme ku përkundër që janë deklaruar të dëmtuarit ose viktimat për këto raste, hetimet për ta nuk kanë përfunduar. Pra kemi raste kur janë dëmtuar viktimat me qindra mijëra euro edhe ne ende nuk e kemi një akt akuzues të prokurorisë”, ka shtuar ai.
E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zotuar për luftim të mëtejmë të dukurisë.
“Toleranca ndaj kriminaliteteve si fajdeja e haraçi dhe çdo fenomeni të dëmshëm për qytetarët dhe shoqërinë tonë ka përfunduar. Do ta vazhdojmë pa u ndalur dhe pa kompromis luftën ndaj çdo ilegaliteti në Republikën tonë”, ka thënë Sveçla.
Vepra penale e fajdesë sanksionohet me Kodin Penal, i cili parasheh dënime me burgim nga 6 muaj deri në 12 vjet.