Kronikë

Burrë e grua në Ferizaj arrestohen për deklarim të rremë

Arrestim

FOTO: Ilustrim

Burrë e grua në Ferizaj janë arrestuar në orët e mbrëmjes të së martës për “deklarim të rrejshëm”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, fillimisht Policia ka marrë informatën se bashkëshortja 21-vjeçare, shtetase e huaj, po trajtohej në Qendrën Emergjente në Ferizaj pasi dyshohej se ishte sulmuar me thikë nga një person tjetër.

Në cilësinë e dëshmitarit, Policia më pas intervistoi bashkëshortin 29-vjeçar i cili dha version të njëjtë dhe rasti u hap për “lëndim të lehtë trupor”.

Por gjatë hetimeve dhe kontrollit në shtëpinë ku banojnë çifti, Policia zbuloi se ata ishin përleshur mes vete. Bashkëshorti E.B. pranoi më vonë se ka inskenuar rastin së bashku me bashkëshorten.

Rasti është ricilësuar në “lëndim të lehtë trupor”, “dhunë në familje” dhe “deklarim i rremë”.