Kronikë

Bilanci i aksionit “Brezovica”: 10 të arrestuar, janë sekuestruar para, armë e vetura

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka treguar se në aksionin e sotëm të Policisë e të Prokurorisë janë bastisur 19 lokacione në kuadër të aksionit të koduar “Brezovica”.

Ai në një konferencë për media, tha se janë sekuestruar para, armë vetura si dhe janë bastisur edhe zyra e Kadastrit dhe Urbanizmit në kuadër Komunës së Shtërpcës.

“Janë ndaluar ish-kryetari i Shtërpcës, drejtori i Gjeodezisë dhe Urbanizmit dhe pronarë të bizneseve”, ka thënë Jashari.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka treguar për bastisjet që janë bërë.

“Kemi zbatuar një urdhër kontrolli, kemi bë bastisje në Shtërpcë, Ferizaj e Prishtinë. Ky aksion ka ardhur nga një rast që është duke u gjykuar”, tha Maloku.

E nga Policia e Kosovës janë treguar se gjatë operacionit janë arrestuar 10 persona, 8 nga Ferizaj e dy nga Prishtina. E ka pasur kontroll në 12 lokacione.

“Janë arrestuar 10 persona, janë kontrolluar 12 lokacione. 8 nga personat janë nga rajoni i Ferizajt e dy nga Prishtina. Janë sekuestruar para të gatshme në vlerë 61.470 euro, një pushkë ajrore, janë sekuestruar katër pistoleta, dy pushka të gjuetisë, 531 fishekë të kalibrit të ndryshëm, tre karikatorë, dy gëzhoja, një palë pranga, 21 thika, tetë vetura me vlerë rreth 300 mijë euro. 13 telefona, 9 laptopë, 5 usb e 4 hard diska. Fletore e dokumente. Po ashtu edhe aparat për prodhim të kriptovalutave”, ka thënë Agron Haziri, shef i krimeve të rënda në Policinë e Kosovës.