Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se është arrestuar një person në Zveçan, nën dyshimin për “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka thënë se gjatë bastisjes në shtëpinë e R.J. janë gjetur e sekuestruar një pushkë karabinë, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, plumba të pushkës ajrore, gëzhoja të zbrazëta nga pushka e gjuetisë si dhe një xhaketë ushtarake me emblemë të Serbisë. Po ashtu nga Prokuroria është thënë se janë gjetur edhe fitil eksplozivi dhe afro 100 gramë barut.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se është arrestuar në Zveçan një person me iniciale R.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të njëjtit, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe sekuestruar një (1) pushkë karabinë, një (1) pushkë gjuetie, një (1) pushkë ajrore, plumba të pushkës ajrore, gëzhoja të zbrazëta nga pushka e gjuetisë, xhaketë ushtarake me emblemë Republika e Serbisë, fitil eksplozivi pa ndezës, dhe rreth njëqind (100) gramë barut. I dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orësh”, ka njoftuar Policia e Kosovës.