Policia e Kosovës ka arrestuar një person të shtunën mbrëma në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, ndërsa gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur një sasi e kokainës dhe po ashtu një revole.
Policia ka thënë se njësitet antidrogë kishin ndaluar veturën Golf 7 rreth orës 19:30 dhe gjatë kontrollit fillimisht të të dyshuarit I.R. i janë gjetur një qese kokainë me peshë rreth 0.6 gramë në trup dhe një tjetër në kuletë. Dy pasagjerëve tjerë, që ishin me të, nuk i është gjetur ndonjë substancë e dyshuar.
Më pas gjatë kontrollit në veturë, janë gjetur 20 qese të dyshuara si kokainë me peshë totale 16.7 gramë dhe një revole SIG Sauer e 21 fishekë. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për veprat penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i pa autorizuar i Armës’. Dy personat tjerë intervistohen në cilësi të dëshmitarit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.