Një person është arrestuar të martën në Gjilan, nën dyshimin se ka dëmtuar disa varreza në fshatin Korminjan të Ulët më 28 maj.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, pas rastit të ndodhur në fund të majit, i dyshuari është identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar të martën. Bëhet fjalë për një burrë të nacionalitetit serb.
“Arrestimi i tij është bërë pasi që janë gjetur prova të mjaftueshme si i njëjti 28.05.2024 në fshatin Korminjan i Ulët ka dëmtuar disa varreza, gurë të varrezave dhe disa fotografi në gurë të varrezave. I njëjti është intervistuar në bazë të procedurave ligjore në prani të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftim të Policisë.
Ndaj tij me urdhër të prokurorit të shtetit do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “dëmtim i varrezave”. Rasti është proceduar në prokurorinë themelore.