Grupi “Albkings” kishte nxitur reagime të mëdha në opinion. Numëronte mbi 100 mijë anëtarë. Prokuroria kishte nisur hetimet për këtë grup në fillim të vitit. Javë më herët, ishte arritur të mbyllej. Por s'pati të arrestuar.
Të mërkurën, Prokuroria ka thënë se ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave “të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup”. Deri tash, një është arrestuar.
“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’, derisa në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur arrestimin e “administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë”.
“Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave. Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura. Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje. Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë deri më tani”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.