Një person është arrestuar të martën në Qukic të Zubin-Potokut, nën dyshimin se është përshirë në rastin “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve e materialeve narkotike”.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia, thuhet se arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Siç bëhet e ditur, rasti ka ndodhur në vitin 2018 dhe në atë kohë në shtëpinë e tij, i dyshuari me disa persona të tjerë, gjegjësisht si grup kriminal, dyshohet se kanë pasur të improvizuar një laborator të drogave sintetike, ku dyshohet se kanë prodhuar droga sintetike të llojit të amfetaminës.
“Në lidhje me rastin, me datë 05.06.2018 janë sekuestruar pajisjet për prodhimin e drogave sintetike si në vijim: Katër armë të gjata, municion, dy motorolla, tableta rinostop, tableta rinasek, sasi e madhe e tretësit; diku 12 bure (fuqi) prej 200 litrave të cilat shërbejnë për prodhimin e drogave sintetike. Gjithashtu është sekuestruar një sasi e dyshuar e marihuanës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje shtohet se në këtë grup kriminal kanë qenë të përfshirë shtatë persona të dyshuar, ku është iniciuar procedurë penale ndaj tyre nën dyshimin se për një kohë kanë bërë përpunimin e drogave sintetike të llojit amfetaminë.
Në lidhje me rastin, të dyshuarit i është caktuar ndalimi policor me vendim të lëshuar nga prokurori i shtetit.