Nga Drejtoria e Policisë në Gjirokastër është njoftuar se në fugonin që e drejtonte i arrestuari Egzon Isufi janë zbuluar 64 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët po synonin që të kalonin transit nëpërmjet Shqipërisë për në Kosovë, me qëllim që më pas të mbërrinin në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Sipas Drejtorisë, përveç Isufit, në kërkim janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorët e tij - F. M. (34) me banim në Kosovë dhe E. Z. (27) me banim në Kukës
Egzon Isufi, një 24-vjeçar nga Kosova, është arrestuar të martën në Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 4”, nën akuzën për transportimin e emigrantëve të paligjshëm.
Drejtoria e Policisë në Gjirokastër ka njoftuar se në fugonin që drejtonte i arrestuari janë zbuluar 64 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët po synonin që të kalonin transit nëpërmjet Shqipërisë për në Kosovë me qëllim që më pas të arrinin në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Sipas Drejtorisë, përveç Isufit, në kërkim janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorët e tij - F. M. (34) me banim në Kosovë dhe E. Z. (27) me banim në Kukës.
“Gjatë aksionit policia sekuestroi automjetin dhe një aparat celular, si dhe 3.400 euro para. Policia e Gjirokastrës ka kryer deri tani 14 aksione kundër trafikut të klandestinëve, ndërsa nga shkurti janë vënë në pranga 19 persona, 6 të tjerë janë shpallur në kërkim, si dhe janë gjetur 136 emigrantë të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Policore në Gjirokastër.
Operacioni është ndërmarrë pasi që emigrantët nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore kanë përdorur Shqipërinë si shteg për të mbërritur në destinacionet e planifikuara perëndimore nëpërmjet Kosovës.
“Trafiku i emigrantëve nga vendet e MENA-s për në Kukës dhe më pas në Kosovë ka filluar si tendencë në vitin 2020, me fillimin e pandemisë. Emigrantët janë nga Siria, Egjipti, janë afganë, irakianë, kurdë etj. Kalimi i kufirit për në Kosovë bëhet kryesisht nga Morina. Qëllimi i emigrantëve është largimi për në Serbi dhe më pas për në Hungari, Kroaci etj. Trafikantët i zbarkojnë emigrantët afër kufirit, i shoqërojnë deri në kufi në Morinë. Më pas ata e kalojnë kufirin e gjelbër, ku përdorin telefona të avancuar me pajisje GPS. Në dy raste dyshojmë se emigrantët janë futur fshehurazi poshtë kamionëve, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre pa dijeninë e drejtuesit të mjetit, për të kaluar kufirin Shqipëri-Kosovë në Morinë”, ka thënë për KOHËN kryekomisari Sokol Noka, njëherësh shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë në Kukës.
Noka ka bërë të ditur se kohëve të fundit është vërejtur një tendencë e udhëtimit të emigrantëve me anë të vizave të rregullta për në Shqipëri. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Kukësit është bërë e ditur se tashmë është e qartë rruga që emigrantët e ndjekin për të mbërritur në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas të dhënave të siguruara nga intervistimi i shtetasve sirianë, atyre afganë dhe iranianë, është mësuar se rruga që emigrantët ndjekin për të ardhur në Shqipëri është nga Siria për në Turqi me rrugë tokësore, kryesisht më këmbë, dhe më pas nga Turqia në Greqi me rrugë detare.
“Nga Greqia emigrantët drejt Shqipërisë lëvizin me mjete të ndryshme. Më pas lëvizin më këmbë, kryesisht nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Kapshticë e Kakavijë dhe pastaj me mjete lëvizin në qendrën e emigrantëve në Tiranë”, thuhet në një material të Drejtorisë së Policisë së Kukësit, i cili i është vënë në dispozicion KOHËS.
Në dokument bëhet gjithashtu e ditur se pas mbërritjes në Tiranë dhe regjistrimit pranë Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkimin Babrru-Tiranë, këta shtetas lejohen që të lëvizin në qytet shkaku i kapaciteteve të vogla dhe numrit të madh të azilkërkuesve që akomodohen në qendër.
“Më pas, shtetas shqiptarë me mjete private, taksi apo automjete të marra me qira, nisen në drejtim të veriut të Shqipërisë, kontaktojnë me shtetasit e huaj azilantë dhe kundrejt pagesave që variojnë nga 50 deri në 100 euro për person, i marrin dhe i transportojnë në drejtim të kufirit me Kosovën, kryesisht në Morinë të Kukisit”, thuhet në dokument.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë në Kukës, gjatë vitit 2021 janë arrestuar 32 persona për 24 raste të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Shumica e të arrestuarve bëhet e ditur se janë nga Kukësi.