Kronikë

Arrestohet i dyshuari që komprometoi mbi 300 mijë kartela bankare në një shtet të BE-së

Policia arrestim

Ilustrim

Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar një të dyshuar për komprometimin e mbi 300 mijë kartelave bankare në një shtet të Bashkimit Evropian.

Operacioni u zhvillua në Prishtinë e Ferizaj në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Shtetit dhe autoritetet e një shteti të BE-së, ka njoftuar Policia.

I dyshuari, sipas Policisë, i ka postuar kartelat bankare në një platformë online për përfitime të kundërligjshme.

“Pas një hetimi disa mujor, është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. I dyshuari dyshohet se i ka postuar për ti shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë realizimit të operacionit janë sekuestruar katër kompjuterë, tri telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme.

“Bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar dhe profesionalizmi i lartë i Policisë së Kosovës kanë qenë kyç në këtë operacion”, vijon njoftimi.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë.