Kronikë

Arrestohet i dyshuari për keqtrajtimin e një gruaje me probleme mendore në Gjilan

Arrestim

Foto: Ilustrim

(E përditësuar) - Policia ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit për veprën penale "dhunë në familje". Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.


Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se Policia ka arrestuar një person që dyshohet se e ka keqtrajtuar një grua me probleme mendore me inicialet A.S.

Në një njoftim në Facebook, Hyseni ka thënë se i dyshuari është arrestuar dje.

“Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin gjatë mbrëmjes së djeshme. Organet e rendit po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rastin”, thuhet në njoftim.

Hyseni ka njoftuar se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e rendit dhe ato shëndetësore, duke siguruar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e rastit.

Ai konfirmoi se viktima është tashmë e sigurt dhe ndodhet në rehabilitim shëndetësor.

Viktimës iu publikuan disa foto në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme ku shihet e mavijosur në fytyrë. Ajo përveç keqtrajtimit, dyshohet se edhe është trafikuar.