Një 28-vjeçar është arrestuar në Prizren për fajde.
Policia mëngjesin e së enjtes ka nisur operacionin për arrestimin e të dyshuarit, pas hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe një ekip nga Drejtoria e Krimit të Organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë -Prishtinë.
Sipas Policisë, i dyshuari ka përfituar përmes kamatave një shumë joproporcionale me sa ka dhënë borxh.
“I dyshuari E. K. , mashkull, 28 vjeçar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, e ngarkon me kamata mujore viktimën, kamata të cilat e kalojnë shumën mbi 100000 (një qind mijë) euro”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjatë operacionit policor është kontrolluar banesa e të dyshuarit në Prizren si dhe janë sekuestruar prova që ndërlidhen me veprën penale.
I dyshuari E.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa policia ka sekuestruar të holla në shumën prej 8,935.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1,000.00 $ (Njëmijë dollarë amerikanë) dhe 17,700.00 Lekë shqiptare si dhe një automjet të markës ‘’AUDI’’, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.
“I pandehuri E.K., që nga koha e pavërtetuar dhe në vazhdimësi - deri në muajin Mars të këtij viti, në Prizren, në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, për vete pranojnë dhe kontraktojnë shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave, me ç’rast secili nga të pandehurit në koordinim me njëri – tjetrin, e kontaktojnë rregullisht viktimën në telefon herë duke ia kërkuar paratë e herë duke i ofruar mundësi për të marrë sërish para me kamata të paligjshme duke i shkaktuar deri më tani dëme financiare mbi 100,000.00 € (Njëqind mijë euro), përkundër faktit se i njejti është detyruar të marrë një kredi në shumën prej 150,000.00 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë euro), megjithatë as ajo nuk i ka mjaftuar që t’i kompensojë të pandehurit për paratë e marra me anë të kamatës së kundërligjshme”, thuhet nga prokuroria.