Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se për shkak të një rasti korruptiv janë arrestuar një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.
Sipas njoftimit të së martës, dy zyrtarët janë ndaluar në pikën kufitare Hani i Elezit pasi dyshohen se kanë bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimin nëpër pikë kufitare.
Të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
“Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër Pikën Kufitare Hani i Elezit. Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK-ja tha se ky aksion është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm mes institucioneve për të luftuar korrupsionin.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se ata po dyshohen për veprën penale “marrje e ryshfetit”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, dy (2) persona të dyshuar, një (1) zyrtar policor dhe një zyrtar doganor, në pikën kufitare Hani i Elezit, për shkak të dyshimit se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.