Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar katër persona në Prishtinë, përfshirë edhe një zyrtar policor, të dyshuar për posedim të narkotikëve.
IPK-ja ka thënë se katër të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa zyrtari policor është pezulluar.
Hetuesit e IPK-së kanë bërë të ditur se janë njoftuar mbrëmë nga Policia e Kosovës për një rast të posedimit të narkotikëve, ku dyshohej se ishin përfshirë katër persona, përfshirë një polic që ishte jashtë detyre.
Rasti raportohet se ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në rrugën “Bejtush Gërbeshi”, ku ishte ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.
Në veturë ishin gjetur dy qese të dyshuara si kokainë dhe një qese të dyshuar si marihuanë. Po ashtu u gjet dhe u konfiskua një armë.
“Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram). Gjatë kontrollit trupor te një nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë. Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit) . Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së dhe të PK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, ka njoftuar IPK-ja.