Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre të dyshuar në Ferizaj, njërin për vjedhje e dy të tjerë se kanë penguar policët gjatë arrestimit të tij.
“Më datën 21.11.2024 rreth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy raste të ndara, në dy lokale ishin kryer vjedhje. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të policisë, policët e rendit dhe hetuesit e stacionit të Ferizajt, të cilët pas një pune intensive në terren, në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë kanë identifikuar të dyshuarin E.D ( M/K) i moshës 58-vjeçar, të cilin në një bodrum të një banese në rrugën ‘12 Qershori’ në Ferizaj e kanë arrestuar, ndërsa janë arrestuar edhe dy persona tjerë : E.N. ( M/K) i moshës 31-vjeçar dhe U.E. ( M/K) i moshës 42-vjeçar, të cilët kanë penguar zyrtarët policor, derisa kanë arrestuar të dyshuarin E.D.”, thuhet në njoftim.
Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tyre nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit E.D. dhe E.N. janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa U.E. është liruar për procedurë të rregullt hetimore.