Gjykata e Apelit ka kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit L.F. në Podujevë. Ky vendim anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe i mituri i dytë me 9 vjet burgim.
Aktgjykimi i Apelit është marrë më 17 korrik 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuara ankesën e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa dhe mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qëndron pretendimi i avokatit Musa se kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal. Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.
Në vendimin e Apelit theksohet se gjykatësja për të mitur në fazat paraprake ka marrë pjesë në këtë çështje penale në procedurën përgatitore, duke ua caktuar dhe vazhduar masën e paraburgimit dy të miturve. Aty thuhet se e njëjta me rastin e vendosjes në këtë çështje penale ka marrë pjesë dhe ka vendosur në cilësinë e kryetares së trupit gjykues.
Gjithnjë sipas këtij vendimi, edhe pse në Kodin e Drejtësisë për të Mitur nuk rregullohet specifikisht kjo çështje, përshtatshmërisht zbatohen dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Sipas Apelit, bazuar edhe në mendimin juridik të Gjykatës Supreme, thuhet se nuk mund të jetë gjyqtari i vetëm gjykues, anëtar i trupit gjykues, kryetar i trupit gjykues në gjykatën e shkallës së parë, gjyqtari i cili ka caktuar/vazhduar masën e paraburgimit.
Apeli vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë edhe në shkelje tjera, pasi që me rastin e hapjes së shqyrtimit gjyqësor, nuk kanë qenë prezent palët në procedurë, prania e të cilave kërkohet sipas ligjit. Pra, kanë munguar pala e dëmtuar dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.
Në vendimin e Apelit thuhet se dispozitivi i vendimit të Themelores është i paqartë dhe kundërthënës, pasi që në dispozitiv janë përfshirë ngjarje dhe përshkrime që nuk kanë të bëjnë fare me ditën kritike, duke stërngarkuar dhe ekzagjeruar rrethanat që nuk kanë të bëjnë me veprimet inkrimunuesve të të miturve.
Përshkrimi i gjendjes faktike në dispozitiv të aktgjykimi të ankimuar, sipas Apelit në raport me përgjegjësinë penale të të miturve ka kundërthënie me vërtetimin e përgjegjësisë penale dhe zbatimin e drejtë të Kodit Penal.
Në këtë vendim, thuhet se gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv të vendimit është në kundërshtim me cilësimet e veprimeve të tyre, duke filluar nga marrëveshja paraprake dhe dashja e të miturve për kryerjen e veprës penale.
Apeli ka rekomanduar që Themelorja në rigjykim t’i eliminojë shkeljet esenciale të procedurës penale, duke bërë një përshkrim të qartë të dispozitivit të aktgjykimit, duke dhënë arsye konkrete, të qarta dhe bindëse.
Ndryshe, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.
Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.
Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK. /BetimipërDrejtësi