Kronikë

Aktakuzë të dyshuarit që sulmoi KFOR-in e Policinë në protestat e 2023-s në veri

Arrestim

Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.D., nën dyshimin se kishte sulmuar ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës në Zveçan, në protestat e serbëve në majin e 2023-s.

Prokuroria ka njoftuar të hënën se veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”, janë kryer në koordinim edhe më të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb.

I pandehuri me inicialet D.D është arrestuar në korrikun e këtij viti.

“Sipas aktakuzës i pandehuri më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.