Kronikë

Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Kllokotit dhe mjekut që dyshohet se e ndihmoi atë

Prokuroria Speciale e Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngre aktakuzë të hënën ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, B.D., dhe mjekut të QKUK-së, B.A. 

Kirurgu vaskular B.A. po përballet me akuza për falsifikim të dokumentit zyrtar e B.D. për legalizim të përmbajtjes së rreme. 

KOHA kishte raportuar para tre vjetëve se krurgu vaskular B.A. dyshohej se kishte hapur një histori të rreme në spital për kryetarin e atëhershëm të Kllokotit. Dyshohej se ishte bërë me qëllim që ai ta shmangte daljen para gjykatës. 

Burimet kishin thënë se kirurgu i kishte hapur historikun B.D. se ai është hospitalizuar në QKUK më 28 gusht me trombozë, por hetuesia kishte dëshmuar dhe fotografi se B.D. kishte qenë ato ditë në kafiteri. Mjeku ishte arrestuar në shtatorin e vitit 2021. 

“Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve: B.A. mjek profesional në QKUK, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 427 paragrafi 1 të KPRK-së dhe të pandehurit B.D., për shkak të veprës penale “legalizim i përmbajtjes së rreme”. Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri B.A. ka falsifikuar dokumentet zyrtare të QKUK-së, për dobi të të pandehurit B.D. Kurse i pandehuri B.D. akuzohet se dokumentet me përmbajtje të rreme i ka dorëzuar në gjykatë, në rastin me numër PS. nr. 30/2. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.  

Ish-kryetari i Kllokotit ishte arrestuar atëbotë nën dyshimin për mashtrim me vota.