Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe I.H., për aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku mbetën të vdekur tre të rinj, që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar.
Të dyshuarit, kur ndodhi aksidenti, dyshohet se ishin duke zhvilluar gara ilegale.
Ata akuzohen për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktualisht të akuzuarit gjenden në paraburgim.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e pesëmbëdhjetë (15) të saj nga aksi rrugor ‘Prizren-Veri’ në drejtim të aksit rrugor ‘Prizren Jug’ ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se sipas aktakuzës i pandehuri i parë, A.S. me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H. me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës.
“Duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, thuhet se i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.