Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.K. dhe B.S., që dyshohen se e kanë rrëmbyer viktimën D.K. në qytetin e Pejës.
Sipas njoftimit, vepra penale është kryer më 17 dhjetor të 2024-s në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku nën kërcënim e kanë marrë viktimën dhe e kanë futur në një veturë, duke i kërkuar që vëllai i tij t’ua kthejë paratë borxh.
Vëllai i viktimës dyshohet të pandehurit A.K. ia ka 1.500 euro borxh, e të dyshuarit B.S. 2000 euro, derisa ata iu janë drejtuar viktimës me fjalët “tash deri në ora gjashtë babai yt i paguan paret, ose të çojmë në Shalë të Bajgorës dhe e dimë se çka bëjmë me ty”.
Viktima ka arritur ta njoftojë një shok të tij për rrëmbimin, derisa me bashkëpunimin policor të Pejës dhe të Podujevës është arritur të lokalizohet ai në fshatin Lupç të Podujevës.
Aktakuzë kundër dy të pandehurve për veprën penale “Rrëmbimi”
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.