Kronikë

Aktakuza ndaj Krivaqës e Sejdiut: Viktima u dhunua derisa humbi vetëdijen

krivaqa, dhunim

Në 24 faqe është përshkruar dhuna të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu ushtruan ndaj Marigona Osmanit më 21 gusht të vitit të kaluar në Ferizaj. Prokuroria i akuzon ata për vrasje mizore të 18-vjeçares. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht deri sa viktima ka humbur vetëdijen.

Prokuroria thotë se të gjitha këto vërtetohen nga videoincizimet e marra në vendin e ngjarjes.

Në aktakuzë, Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, në ditën e vdekjes, e ka dhunuar viktimën në dy raste. Ndërsa, Sejdiu akuzohet se e ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

“Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga videoincizimet, si dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, ku vërehen në tërë trupin e të ndjerës, hematome, si dhe dërrmishje. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorur edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse, e në bazë të dëmtimeve trupore rezulton se e njëjta është përdorur nga i pandehuri Dardan Krivaqa, gjithashtu fakti se në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë e po ashtu janë gjetur shishe, të zbrazura dhe gjysmë të zbrazura, është rrethanë që tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndiejë sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorur për ta këndell”, thuhet në njërën nga përshkrimet, bazuar në aktakuzën e plotë që e ka siguruar KOHA.

Në raportin e autopsisë së trupit të të ndjerës janë konstatuar lëndime gjithandej fytyrës e trupit.

“Tutje në raport – konkluzioni rezulton se vdekja e të ndjerës Marigona Osmani, ka ardhur për shkak të politraumës (lëndimeve të shumëfishta), ku politrauma dhe vdekja ka ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike dhe shoku hemorragjik e traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme (nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme-mandibullës, pastaj thyerje e brinjëve 2 djathtas dhe 1-3 majtas, klavikulës së majtë, unazave 1-2 të qafës mes tyre, gjakëderdhjes epidural dhe subdural në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, si dhe këputjes parciale të palcës së kurrit në qafë, të cilat kanë ardhur nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mbetës”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Në aktakuzën e plotë shkruhet edhe dëshmia e nënës së Marigona Osmanit. Ajo ka përshkruar lidhjen e së bijës me Krivaqën. Ka shpjeguar se në vazhdimësi ka vënë re ndryshime te vajza, ndërsa ka thënë se për disa raste të dhunës i ka kuptuar tek pas vdekjes. Në një rast ka thënë po ashtu se gjatë një takimi që ka pasur me të ëmën e të pandehurit Krivaqa, ajo i ka thënë se “djali i saj ka qenë në burg para rreth një muaji, mirëpo ka theksuar se ‘unë kam shumë të njohshëm dhe kam ndikim në persona me nivel të lartë. Djali im edhe pse ka dashur që ta mbysë një polic me thikë të cilit ia ka vendosur në qafë, mirëpo falë ndikimit tim policit ia kam sjellë punën me e tërhjek padinë’”.

Në deklaratë ajo ka thënë se pos goditjes nga vdekja e vajzës ka frikë edhe për fëmijët tjerë.

Dy të pandehurit kishin lënë trupin e viktimës në spitalin rajonal të Ferizajt, ndërsa kishin ikur nga vendi i ngjarjes. Identifikimi i tyre u bë përmes kamerave të sigurisë.

Në aktakuzë theksohet se të pandehurit kanë tentuar t’i zhdukin pamjet.

Sipas prokurorisë, ka pasur kontradikta të theksuara edhe në deklaratën që ka dhënë Sejdiu.

Prokuroria Themelore në Ferizaj të martën njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me vrasjen e Marigona Osmanit.

Ata akuzohen për “Vrasje të rëndë”. Krivaqa akuzohet edhe për veprën penale “dhunimi”, ndërsa Sejdiu për veprën penale “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se në Ferizaj, në banesën e tij, “me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte vdekur”.

Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar “në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës”.