Një aksion kundër mashtrimeve me patentë shofer është duke u zhvilluar të martën në Pejë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka thënë për KOHËN se ka disa të arrestuar nga ky aksion, ndërsa numrin nuk e ka bërë të ditur.
“Mund ta konfirmoj se aksioni në Komunën e Pejës është duke u zhvilluar dhe kemi edhe persona të arrestuar”.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se të arrestuar janë disa zyrtarë të Njësisë për patentë shoferë në Pejë.
“Posa mora lajmin se në Pejë kanë ndodhur arrestime të zyrtarëve, të cilët kanë punuar më parë në njësinë për patentë shoferë. Shpresoj se kjo çështje do të shkojë deri në fund dhe se të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë do të marrin dënimin e merituar”, ka thënë ai.
Gjashtë zyrtarë të arrestuar në aksionin kundër mashtrimeve me patentë shoferë
Të paktën gjashtë persona janë arrestuar gjatë aksionit të gjerë policor kundër mashtrimeve me patentë shoferë në katër komuna të Kosovës.
Prokurorja e rastit, Valbona Vishaj-Haxhosaj ka thënë se njëri nga të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi.
Ajo ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në Pejë, Deçan, Fushë-Kosovë dhe Prishtinë.
“Ky aksion është zhvilluar në komunën e Pejës, Deçanit, Fushë-Kosovës dhe Prishtinës. Si rezultat të ndërveprimeve hetimore janë arrestuar gjashtë persona, një person për shkak të gjendjes shëndetësore është liruar dhe tre të tjerë nuk janë hasur në shtëpi. Sipas familjarëve, këta persona janë jashtë për pushime. Këta persona që janë arrestuar dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe legalizimi i përmbajtjes së rremë, po ashtu edhe për veprën penale ndihmë për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ka thënë ajo.
Vishaj-Haxhosaj ka shtuar se të arrestuarit dyshohet se i kanë kryer veprat penale nga 2021-ta e në vazhdimësi.
Policia ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, nën dyshimin se janë kryer vepra penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “marrja e ryshfetit”, “marrja e ryshfetit në sektorin privat” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme” nga ana e të dyshuarve.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjashtë zyrtarët nga departamenti i patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës, dyshohet se kanë vepruar rregulloreve dhe udhëzimeve, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.
“Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të njësisë së patentë shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së. Po ashtu tre të dyshuar pronarë të autoshkollave dyshohet se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim”, thuhet në njoftim.
Gjatë operacionit policor të bastisjes thuhet se janë sekuestruar 7,800 euro, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve.