Kronikë

Aksion i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kundër falsifikimit të parasë, arrestohet një shtetas maqedonas

monedha false

Ilustrim

Është arrestuar të dielën në Kosovë një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara metalike, dyeuroshe, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kontrolluar tri lokacione ku u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara metalike dyeuroshe. 

Në një komunikatë të përbashkët të autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut është thënë se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa operacioni është mbështetur nga Europol dhe Eurojust/WB Crim Just Project.

Prokuroria Special e Republikës së Kosovës (PSRK), së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (PK/DHKEK), gjatë viteve 2023-2024 kishin ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, përkatësisht të parave në valutën euro, pasi që ishin hasur disa raste të vënies në qarkullim të parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave si dhe kishin dëmtuar interesin publik.

“Më datë 4 Gusht 2024 në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 (dy) Euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione. Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 (dy) Euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre. Me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, shtetasi maqedonas është ndaluar përkohësisht për 48 orë dhe ndaj tij në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë”, u tha në komunikatën e përbashkët.