Kronikë

Afro një mijë raste të dhunës për katër muaj

Në katër muajt e parë të këtij viti janë raportuar afro 1 mijë raste të dhunës në familje, kanë bërë të ditur zyrtarët policorë gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, të martën. Sipas Policisë, shumica e viktimave janë gra. Ata kanë treguar edhe shkaktarët e dhunës në familje që kanë dominuar gjatë vitit 2023

Afro 1 mijë raste të dhunës në familje janë raportuar në katër muajt e parë të këtij viti. Gjatë raportimit të zyrtarëve policorë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, lidhur me rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, është thënë se shumica e viktimave janë gra. 

“Raportimi i rasteve të dhunës në familje janar-prill 2024, numri i rasteve është 927, numri i viktimave 989, viktima femra 770, viktima meshkuj 219, persona të ndalur për 48 orë 341, urdhra mbrojtës të lëshuar nga Gjykata 447, urdhër për mbrojtje të përkohshme emergjente të shqiptuar nga policia 51”, ka bërë të ditur të martën Zylfije Dema nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka pyetur se cilat janë mjetet kryesore të cilat po i përdor Policia e Kosovës për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar dhunën.

Edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, ka pyetur përfaqësuesit e PK-së se cilat janë nevojat dhe shqetësimet që i kanë gjatë ushtrimit të punës së tyre.

“Ne sot jemi të interesuar me dit edhe ato pengesat që i keni në zbatimin e punës tuaj, detyrave që i keni në raport me kontaktin me viktimat e dhunës. E thatë shumë mirë që paska mungesë edhe të mbrojtësve të viktimave të dhunës. Ne e dimë që ende janë në numër të paktë, nuk janë sa duhet edhe nuk kanë qenë të mbështetur sa duhet edhe në aspektin logjistik, prej veturës, sigurimi edhe deri tek aspektet e tjera”, ka thënë Fatmire Mullhaxha-Kollçaku. “Neve po na intereson sa ju mbështeteni në punën tuaj, cilat janë kërkesat tuaja konkrete që ne me i ngrit në institucionet e tjera, qoftë edhe në aspektet buxhetore, qoftë në aspektin me staf, pra edhe trajnimet ju na treguat që janë duke vazhdua?”.

Luljeta Limani nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë ka thënë se ndodhë që me para të tyre u blejnë gjëra viktimave e fëmijëve të tyre.

“Derisa ta bëjmë një zgjidhje, po është e vërtetë policët me mjete vetanake iu blejnë shpesh viktimave, për shkak se fëmija janë në pyetje, janë viktimat edhe ndoshta më shumë është solidaritet ajo se që e kemi obligim këtë pjesë”, ka thënë ajo.  

Ndërsa, Zylfije Dema ka thënë se ka mungesë të mbrojtësve të viktimave dhe se ndodh shpesh që ata mungojnë në vendngjarje. 

Ajo i ka treguar edhe shkaktarët e dhunës që kanë dominuar gjatë vitit 2023. 

“E kemi raportin analitik të 2023-s, për shkaktarët në bazë të raporteve që e shkaktojnë dhunën. Shembull e kemi traditat e vjetra - 104 raste, pushteti që kërkon të vendoset njëri mbi tjetrin - 354 raste, për shkak të xhelozisë - 412 raste, kushtet sociale - 94 raste, marrëdhëniet e çrregulluara brenda familjes - 493 raste, ndikimi i alkoolit - 171 raste, ndikimi i drogës - 122, ndikimi i çrregullimeve mendore - 158, ndikimi i stresit - 1010 raste, traumat e ndryshme - 31 raste dhe 267 raste nuk mund të përcaktohet shkaktari i dhunës në familje”, ka bërë të ditur Dema.