Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktvendim dënues ndaj dy të pandehurve për vjedhjen e rëndë në Teqenë e Madhe të Gjakovës.
Xh. Th. i është shpallur dënim me burgim prej katër vjetëve për “vjedhje të rëndë” si dhe iu dha një gjobë prej 1500 euro për “mbajtjen në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
U.Th. është dënuar me tre vjet burgim për “vjedhje të rëndë”.
Të pandehurit Xh.Th. dhe U.Th., u akuzuan se më 20 maj të vitit të kaluar në shtëpinë e klerikut të Teqesë së Madhe, morën dy kasaforta. Në njërën nga ato gjendeshin 400 franga zvicerane, 13 mijë lekë shqiptarë, një çantë me stoli në vlerë 1600 euro. E në kasafortën tjetër kishte 114 mijë euro, 60 mijë franga zvicerane, 10 mijë dollarë amerikanë dhe 1000 funte angleze. Ata ishin ndihmuar nga B.B., që më herët ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim pasi kishte pranuar të dëshmonte si dëshmitar bashkëpunues.
“Këto para ishin mbledhur nga besimtarët (myhybët) e të dëmtuarit, me destinim për vazhdimin e ndërtimit të Teqesë në Prizren. Pasi merr të njëjtat, përgjatë oborrit të fqinjit largohet, ku në ora 22:34 minuta hipën në veturën e të pandehurit B., i cili ishte duke e pritur në parking sipër shëtitores, dhe së bashku nisen në drejtim të muzeut të qytetit. Në ato momente, pasi largohet nga shtëpia e të dëmtuarit me sendet e marra, i pandehuri Xh., në ora 22:37 minuta, përmes numrit 049/...-..., të cilin e kishte në shfrytëzim, e telefonon të pandehurin U. në numrin 049/...-..., po ashtu një numër telefonik që i pandehuri U. e kishte në shfrytëzim, dhe e njofton se e ka kryer aktin e vjedhjes duke i thënë: “U kry, u kry, vazhdo ti,” ashtu siç ishin dakorduar paraprakisht. Pas largimit nga vendi i ngjarjes, të pandehurit B. ia jep shumën prej 9,000.00 euro, ndërsa të pandehurit U. ia jep shumën prej 17,000.00 euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në shkallë të madhe”, u tha në aktakuzën e prokurorisë.
Gjatë një kontrolli më 9 qershor të vitit t2ë kaluar, policia kshte gjetur një pistoletë në automjetin e Xh.Th. Kishte konfiskuar gjashtë vetura, për të cilat Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Sekuestruar u autorizua që, pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit, t’i shesë. Të ardhurat nga shitja do të përdoren për kompensimin e të dëmtuarit M.Sh.
“Gjithashtu, shuma prej 6,550.00 euro e konfiskuar do t’i kthehet po ashtu të dëmtuarit M.Sh. I dëmtuari për realizimin e kërkesës së mbetur pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko civil. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar”, është thënë nga gjykata.