Një 23-vjeçar është arrestuar mëngjesin e së shtunës në Ferizaj pasi dyshohet se kishte rrëmbyer një vajzë në Fushë-Kosovë.
Policia në Ferizaj ka thënë se të shtunën rreth orën 9:30 ka marrë një informatë me telefon nga një vajzë 19 vjeç, “e cila rreth orës 08:00 dyshohej se ishte rrëmbyer me forcë në Fushë Kosovë nga i dyshuari GJ.H (M/K), i moshës 23 vjeçar dhe se ajo ishte në një pikë karburanti në fshatin Bibaj të Ferizajt, që i dyshuari e kishte sjellë me një veturë dhe ishin ndaluar aty”.
Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Bibaj dhe aty kanë hasur të dyshuarin i cili ishte jashtë në oborr të pikës së karburantit, duke e pritur viktimën të dilte jashtë, njoftoi PK-ja.
Të dy janë dërguar fillimisht në stacionin e Policisë në Ferizaj dhe në bashkëpunim me policët e stacionit në Fushë-Kosovë, i dyshuari dhe viktima janë dërguar për procedura të intervistimit dhe hetimit atje, ngaqë rasti i dyshuar për rrëmbim me forcë dyshohet se ka ndodhur në qytetin e Fushë-Kosovës.