Historiani Jusuf Buxhovi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova ua pati paralajmëruar autoriteteve ndërkombëtare se po përgatiteshin trazira për destabilizimin e Kosovës, por se ata nuk e kishin marrë parasysh.
“Kam parasysh edhe një dokument të presidentit Rugova, janë dy letra që i janë dërguar të gjitha autoriteteve të atëhershme, KFOR-it, UNMIK-ut por edhe fuqive evropiane. I pari thotë se duhet të kemi kujdes, ishin në përgatitje e sipër të bisedimet të Vjenës, që trashëgimia e krishterë-ortodokse të mos lejohet të përvetësohet nga kisha ortodokse serbe sepse do jetë një element politik për destabilizim të Kosovës. Letra e dytë e Rugovës është pas trazirave, Solana e thërret dhe e merr në përgjegjësi Rugovën se pse jeni kaq i qetë. I thotë që unë nuk kam fuqi së pari dhe e dyta para dy muajsh ju kam njoftuar se po përgatitet një skenar i tillë. Bile thotë se më kanë injoruar dhe u thotë se këtu ky skenar ka pasur qëllim që bisedimet në Vjenë për statusin e Kosovës ta pengojnë sa më shumë shpalljen e Kosovës së pavarur. Rugova e quan puç të përgatitur prej faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, nuk i përjashton edhe faktorë të shërbimeve ushtarake”, ka thënë ai.
Historiani Enver Rexha ka deklaruar se trazirat e marsit të vitit 2004 e kanë shtyrë shpalljen e pavarësisë për së paku dy apo tre vjet.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Rexha ka thënë se burrështetasit e kohës, që kanë qenë aktivë atëkohë, kanë thënë se kjo ngjarje ka penguar procesin e pavarësisë.
“Shteti fqinj dhe që i kemi raportet e acaruara deri më tani, mendoj se do të jepte shumë miliona euro për të arritur rezultat në aspektin e spiunazhit, nuk do të mundte të arrijë atë që e ka bërë shoqëria jonë e orkestruar. Mendoj se ka pasur plan, problemi është edhe politik sepse në atë kohë flitet që ka pasur mundësi që sovraniteti i Kosovës apo shpallja e pavarësisë të vinte më herët. Ka zëra që ajo e ka penguar procesin e pavarësisë, burrështetas të kohës që kanë qenë aktivë në politikë apo institucione që kanë vlerësuar se më herët do të vinte pavarësia, së paku për dy apo tre vjet”, është shprehur ai.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në Youtube