Emisioni “Jeta” në edicionin e radhës sjell bukuritë e rralla të bjeshkëve të Istogut.
Shimeku është bjeshka që ekipi e ka vizituar në këtë javë, shoqëruar nga dy vrapuesit e njohur vendës, Fikret Shatri e Hajredin Ferataj.
Rruga që të dërgon drejt bjeshkëve të Istogut tashmë është e asfaltuar.
Kjo ua mundëson vizitorëve e klubeve të ndryshme të hikingut që të ngjisin këto bjeshkë.
Madje për vrapuesit vendës ky është terreni i preferuar për t’i bërë stërvitjet e tyre me vrapet para maratonave.
Sipas të dy vendësve, bjeshka e Shimekut gjallërohet gjatë sezonit të verës.
Vendësit atje i kanë të ndërtuara stanet ku i kalojnë muajt e verës.
Fikret Shatri thotë se e kujton fëmijërinë e tij në këtë terren malor e ushqimet natyrale që i kishte konsumuar në bjeshkë.
“Fëmijëria ime ka qenë krejt këtu. Sa herë që vij edhe për vrap në këtë anë, kam nostalgji për këtë vend. Nuk mund t’i harroj asnjëherë ushqimet e bylmetit që i kam konsumuar”, thotë ai.
Mbi 2000 metra është lartësia e kësaj bjeshke, nëpër të cilën ka shtigje të shumta ecjesh që shfrytëzohen më së shumti nga maratonistët e vrapimit nga të gjitha rajonet e Kosovës.